Shqipëria përfshihet për herë të parë në rrjetin e shtigjeve malore europiane! Rruga E6, një nga itinerarët më të rëndësishëm të “European Hiking Federation”, do të hyjë në territorin shqiptar përmes Shkodrës, duke shënuar një zhvillim historik për turizmin malor në vend.
Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi zyrtar midis presidentit të Federatës Europiane të Hiking-ut, Boris Micic, dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Alpinizmit.
“Tashmë kemi shansin dhe mundësinë që një rrugë europiane të kalojë në Shqipëri. Kilometrat e parë të shtigjeve të E6 do të realizohen që këtë vit,” tha Micic, duke theksuar rëndësinë e këtij zhvillimi për promovimin ndërkombëtar të destinacioneve shqiptare.
E6 do të hyjë nga Shkodra përmes kufirit me Malin e Zi, dhe është pjesë e një rrjeti prej 12 rrugësh malore që përfshijnë mbi 70 mijë kilometra në të gjithë Europën. Shqipëria deri më sot ka qenë jashtë këtij rrjeti prestigjioz, ndërsa rajoni i Ballkanit ka pasur vetëm prezencë të pjesshme.
Në plan është edhe kalimi i rrugës E12 përgjatë bregdetit shqiptar, por fokusi këtë vit do të jetë te E6.
Krijimi i këtij shtegu pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e turizmit të aventurës dhe të sjellë një valë të re vizitorësh të apasionuar pas natyrës dhe ecjes në mal.