Deputeti demokrat Igli Cara, përmes një deklarate për mediat, ngriti shqetësimin për 2800 tonë mbetje toksike, të cilat prej dy vitesh ndodhen në territorin e bashkisë Durrës, ndërkohë që prej fundit të muajit mars janë depozituar pranë një biznesi privat në zonën e Shënvlashit, shumë pranë sitit të ri të banimit, ku janë strehuar të pastrehët e tërmetit.

Gjatë deklaratës, Cara ju drejtua me disa pyetje direkt kryetares së bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako:

“A është problem për ju personalisht prania e 2800 tonë mbetje të rrezikshme?

Kush është më e rëndësishme për ju, shëndeti dhe jeta e qytetarëve të Durrësit apo rehatia e Ramës?

A nuk duhet të bëni dhe ju presionin tuaj me të drejtën që ju jep ligji si përfaqësuese e pushtetit lokal mbi qeverinë?

Njëkohësisht, deputeti demokrat i adresoi disa pyetje konkrete edhe për Ministrinë e Mjedisit dhe drejtuesin e këtij dikasteri:

“Cili është statusi i sotëm juridik dhe administrativ i 102 kontenierëve dhe cili institucion mban përgjegjësinë kryesore për ruajtjen, kontrollin dhe administrimin e tyre? Përse Ministria e Mjedisit nuk ka bërë publike deri më sot një plan të plotë për trajtimin përfundimtar të rreth 2800 tonëve mbetje të rrezikshme?

A është pajisur ambienti ku ndodhen kontejnerët me leje mjedisore ose autorizim të posaçëm për ruajtjen e mbetjeve të rrezikshme?

A janë marrë dhe analizuar mostra nga toka, ujërat sipërfaqëesore, ujërat nëntokësore, puset e zonës dhe ajri përreth venddepozimit? Nëse po, cilat janë rezultatet dhe përse ato nuk janë bërë publike?

A konfirmon Ministria se 102 kontejnerët janë të padëmtuar, të mbyllur hermetikisht dhe pa shenja korrozioni, rrjedhjeje ose përhapjeje të materialit? A ekziston një inventar teknik individual për gjendjen e secilit kontejner?

A disponon venddepozitimi sipërfaqe të papërshkueshme, mbulim nga reshjet, sistem për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura, masa për kontrollin e pluhurit dhe plan për ndërhyrje emergjente?

A janë njoftuar zyrtarisht banorët, bizneset dhe institucionet që ndodhen pranë zonës mbi natyrën e materialit, rreziqet potenciale dhe masat që duhet të ndjekin në rast incidenti?”

Për shkak të mungesës së reagimit institucional nga ana e dikasterit të mjedisit, madje edhe gjatë kërkesës për interpelancë të parashtruar në deputetët e Durrësit mbi këtë çështje, Cara deklaroi se “heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigja mbi një situatë që prek drejtpërsëdrejti shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”.

Ai ftoi komunitetin durrsak të bëhen bashkë për të ngritur zërin për këto mbetje toksike, të cilat rrezikojnë jo pak shëndetin dhe jetën e të gjithë qytetarëve.

M.B.