Organizatat jofitimprurëse të regjistruara si persona juridik, duhet të bëjnë edhe regjistrimin e pronarit përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP).
QKB njofton se afati për regjistrimin e tyre është 40 ditë kalendarike nga data e regjistrimit si person juridik. Në të kundërt mosregjistrimi brenda afatit sjell kundërvajtje administrative sipas ligjit nr.112/2020 “Për regjistrimin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar.
Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar në ligji dënohet me gjobë në vlerën 500 mijë lekë.
Regjistrimi fillestar i të dhënave në Regjistrin e Pronarëve Përfitues bëhet nga personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues, nëpërmjet e-Albania në shërbimin “aplikim për regjistrim fillestar në Regjistrin e Pronarëve Përfitues”.
Në aplikim duhet të bashkëlidhet dhe 9 dokumentacione të nevojshëm, si:
-Dokumentacionin që vërteton numrin unik të identifikimit, emrin si dhe datën e regjistrimit të subjektit raportues në regjistrin përkatës;
– Dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit; ose të të drejtave të votimit;
-Dokumentacion tjetër që përmban informacionin e nevojshëm për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues;
-Nëse subjekti i regjistruar është person juridik, zotërohet nga një shpk, pronarin përfitues të shpk-së;
-Deklarata me shkrim e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i subjektit raportues, ku të përcaktohen saktësisht hapat e ndërmarra për identifikimin e pronarin përfitues si dhe arsyet e identifikimit të tij në këtë pozicion, në rastin kur themeluesi i saj është person juridikë ( rasti kur nuk arrihet të identifikohet individi zotërues i 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit; ose të të drejtave të votimit).
-Dokumentacion që vërteton kontrollin e individit të regjistruar si pronar përfitues, në personin juridik që ka regjistruar, në subjektin raportues (rasti kur nuk arrihet të identifikohet individi zotërues i 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit; ose të të drejtave të votimit);
-Dokumentacion që vërteton pozicionin e individit të regjistruar si pronar përfitues, në subjektin raportues (rasti kur nuk arrihet të identifikohet individi zotërues i 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit; ose të të drejtave të votimit);
-Dokumentacion tjetër shoqërues që vërteton të dhënat e regjistruara
-Dokumenti i autorizimit, nëse aplikimi nuk kryhet nga përfaqësuesi ligjor.