Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të jenë në gjendje të përballojnë gjatë krizën ekonomike globale dhe pasojat e politikave të tyre proteksioniste.
Nga Brukseli, ku po mbahet Këshilli i Tregtisë së Bashkimit Evropian, Habeck deklaroi se “presioni është para së gjithash mbi amerikanët”, duke theksuar se SHBA-të mund të përballen me një recesion të thellë të shoqëruar me inflacion të lartë – një “përzierje toksike për çdo shoqëri të hapur”.
Në një atmosferë të tensionuar ekonomike globale, me një humbje prej rreth 9.500 miliardë dollarësh në tregjet financiare vetëm në tre ditë, ministri gjerman theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të qëndrojnë gjatë në këmbë, “veçanërisht nëse Evropa arrin të qëndrojë e bashkuar dhe të forcojë aleancat me vendet e tjera të prekura nga tarifat”.
Këto deklarata vijnë mes kritikave në rritje ndaj politikave doganore amerikane nga vende industriale si Japonia, Koreja e Jugut dhe Indonezia. Kriza e tanishme ka nxjerrë në pah edhe një herë brishtësinë e sistemit ekonomik global dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për të shmangur një recesion të përgjithshëm.
Habeck i bëri thirrje BE-së të forcojë partneritetet strategjike ndërkombëtare dhe të veprojë si një front i bashkuar ndaj asaj që ai e quajti “çmenduri tarifore”, që sipas tij po thellon pasigurinë ekonomike dhe përçarjet gjeopolitike.