Margarita Keçi është 36-vjeçarja që humbi jetën ditën e mërkurë në spitalin e Durrësit, pasi kishte shkuar disa herë me radhë në Qendrën Shëndetësore Shijak, për t’u kuruar nga dhimbja e barkut, për të cilën ankohej. Dyshohet se 36-vjeçarja vuante nga gastriti akut në stomak, por ende nuk është zbardhur shkaku i vdekjes së saj.
Drejtoresha e qendrës shëndetësore të Shijakut, Jonida Çeliku ka dhënë detaje përpara mediave lidhur me ngjarjen.
Ajo shpjegon se 36-vjeçarja është vizituar nga mjekja e familjes në orën 08:00 të mëngjesit, më pas ka ardhur në shërbimin e urgjencës rreth orës 19:00 dhe në një kohë të shpejtë ka marrë shërbimin.
Pasi gjendja e saj nuk është përmirësuar, ajo është dërguar në spitalin e Durrësit, me makinë private, pasi familjarët kanë refuzuar autoambulancën e ofruar nga qendra shëndetësore.
Më tej, mjekja thotë se e ndjera ka ardhur vetëm me problemin e gastritit akut. Megjithatë, ende nuk dihet shkaku i vdekjes dhe do të jetë autopsia që do ta përcaktojë.
“Të dy mjekët kanë dhënë mjekimin e duhur kundrejt të ndjerës, kanë respektuar protokollin mjekësor të listës së barnave. Është vizituar nga mjekja e familjes në orën 08:00 të mëngjesit, më pas ka ardhur në shërbimin e urgjencës rreth orës 19:00 dhe në një kohë të shpejtë ka marrë shërbimin.
Gjendja e pacientes nuk është përmirësuar dhe ka kërkuar dihej mjekësore për transportimin në spitalin e Durrësit. I është ofruar familjarëve autoambulanca dhe për çështje kohe familjarët kanë refuzuar ambulancën. Edhe thirrjet që i janë bërë nëpërmjet mjekut me autoambulancën janë në telefonin e mjekut.
Ajo është dërguar me makinë private. Ne kartelën e mjekës nuk paraqitet ashja konkrete. E ndjera ka ardhur vetëm me problemin e gastritit akut, ku është diagnostikuar vetëm me këtë nga të dy mjekët. Por, realisht nuk mund të themi shkakun e vdekjes, deri në pritjen e autopsisë”, deklaron Jonida Çeliku.
Në lidhje me këtë ngjarje policia ka njoftuar se ka proceduar penalisht 2 mjekë për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”; shtetasit M.S., 49 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek i urgjencës pranë qendrës shëndetësore Shijak dhe shtetasen O.S., 27 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke e familjes pranë qendrës shëndetësore Shijak.





