Pavarësisht protestave të shumta e ngritjes së shqetësimit të tyre në media, në Prokurori e deri të kryeministri Rama, banorët e pallatit nr.8 në Durrës te lagjja 5, ende janë në udhëkryq të madh se ç’do të bëhet me pallatin e tyre të shkatërruar nga tërmeti.
Sipas tyre, organet shtetërore po kërkojnë që ta riparojnë për të evituar vënien para përgjegjësisë së firmës ndërtuese.
Ata i kanë adresuar një letër kryeministrit Rama për shkak se pallati ku banojnë 48 familje, ka çeduar nga tërmeti mbi 52 cm.
Këtë anashkalim të shqetësimit të tyre jetësor, ata e cilësojnë si terrorizëm modern shtetëror në letrën drejtuar Kryeministrit Rama dhe shprehen të vendosur se nuk do të lejojnë askënd t’ua marrë jetën në këtë formë.
Ata e kanë çuar çështjen në Prokurori, por ky problem ende po zvarritet dhe sipas tyre, organi i akuzës ka vendosur të flerë gjumë përballë kësaj çështjeje sensitive.
LETRA
I nderuar zoti Kryeministër. Ne banorët e pallatit 8 të lagjes nr 5, rruga “Stefan Dhima” Durrës, vazhdojmë të mbetemi të shqetësuar për fatin e fëmijeve tonë. Pasi dëgjojmë e lexojmë reagimin e inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit, inxhiniereve të bashkise e mbi të gjitha të kryetares bashkisë Durrës, që në rastin tonë është thjesht një bashkëpunim i të gjithë të babëziturve për pjesë të majme fitimi. Për këtë nuk po bëjnë akt-ekspertizë, që e kanë për detyrë se janë të paguar nga taksat e qytetarëve, për t’i shërbyer qytetarëve, dhe jo për t’i vrarë ato, siç po ndodh me jetët tona të rrezikuara nga një pallat që ka çeduar 55 cm. Kësaj përgjegjësie po i shmangen inxhinierë të ndërtimit, të kryetares së bashkisë Durrës, Ministria e Ndërtimit, dhe për ne me këto parametra mbetet njeë akt i pastër terrorist, pasi si ne janë mbi 15 pallate me dëmtime shumë të rënda në Durrës. Në to askush nuk mund të tentojë riparimin e pallatit pasi rrezikohet jeta e fëmijëve e banorëve. Tentativa për t’u futur në këto pallate të dëmtuara rëndë, pa bërë studimin e thelluar, përbën terrorizëm modern të viteve 2020.
Ju lutemi informoni institucionet tuaja, se këtu makuteria s’ka fund, ku është dashur të bëhet një akt-ekspertizë e thelluar, pasi po tentohet për të mos u prishur për arsye përfitimi. Ndërkohë, Inxhinierët e përgjegjshëm të thirrur nga prokuroria, e kanë shprehur mjaft qartë në raportet e tyre, se pallati është një rrezik i madh për banoret e përreth tij, me një çedim mbi 52 cm, me përdredhje në kat të gjashtë. Për shkak të cilësisë të dobët të ndertimit, ka ndodhur dëmtim i rëndë i objektit, e jo për faj të lëkundjeve sizmike 6,4 ballë, pasi nuk ka pallat në Europe ku ne aderojmë të anëtarësohemi, me çedim kaq të lartë dhe me përdredhje të jetë i banueshem. Por personat përgjegjës nuk kanë dëshirën ta shohin, nga babëzia që kanë për t’u pasuruar. Bin Laden pasi u pasurua vrau njerëz, dhe u shpall terrorist. Ne nuk duam të flijohemi për terroristët e rinj modern, nuk do t’i lejojmë të na marrin jetën.





