Kasem Lala dhe Besim Bregu, ishin dy prej 22 ish-komisionerëve për të cilët SPAK firmosi një ditë më parë urdhërarrestet për dosjen e Durrësit, e njohur si dosja “339” që lidhet ma manipulimin e zgjedhjeve 2017.
Njëri i Partisë Socialiste dhe tjetri i Partisë Demokratike, ata kanë ndërruar jetë para dy vitesh.
Dy bashkëshortet e ish-komisionerëve të ndjerë, Nafije Bregu dhe Mimoza Lala kanë folur sot për mediat të revoltuara dhe të prekura nga kjo ngjarje.
“U revoltova shumë dje kur pash emrin e tim shoqi (Besim Bregu) që është arrestuar. Burri im ka qysh më 28 dhjetor 2018 që ka vdekur në Itali. Ishim me pushime te fëmijët, i ra infrakt.”, thotë bashkëshortja, Nafija.
“Nuk po them se çfarë është bërë atje se nuk kam qenë, po me dosjen, çfarë është kjo dosje që del edhe emri i burrit tim?!”, vijon ajo.
Po në vitin 2018, dy muaj para Bregut, (në tetor) ka ndërruar jetë në moshën 51-vjeçare edhe Kasem Lala.
Me zërin që i dridhet, bashkëshortja e Lalës tregon se është prekur kur ka lexuar emrin e të shoqit të ndjerë në televizor si i arrestuar.
“Ata për këtë shtet u munduan, jo për vete. Ai në komision ka qenë, edhe emrin mund t’ia nxirrnin por ….”, thotë Mimoza ndërsa tregon se forcat e policisë nuk kanë trokitur në derën e saj pasi e dinin që i shoqi ka vdekur.





