Kur do të vendosen dy tunelet e dezinfektimit? Kjo është pyetja që shtron DurrësLajm, tashmë kur ka kaluar më shumë se një muaj e gjysëm nga vendimi i marrë në Këshill Bashkiak për të blerë dy tunele që do të vendoseshin njëri në bashki dhe tjetri tek Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”.

Në mbledhjen e datës 30 qershor, Këshilli Bashkiak miratoi projektvendimin për përdorimin e fondit prej 1.050.000 lekë pa TVSH për blerjen e dy tuneleve dezinfektues.

Vendimi i marrë nga Këshilli Bashkiak vinte në një kohë kur thuajse të gjitha kufizimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 ishin hequr. Vendimi vinte pikërisht në kohën kur bashkia e Durrësit po përballej me fluks të shtuar qytetarësh që mblidheshin çdo ditë para saj për të marrë takim me kryetaren në detyrë apo nënkryetarët për problematika të ndryshme lidhur me tërmetin e 26 nëntorit 2019, apo për t’u interesuar pranë zyrës së marrëdhënieve me publikun lidhur me bonusin e qirasë, grantin e rindërtimit, për të bërë ankimimin për përjashtimin nga përfitimi i grantit, për të pyetur nëse do të rihapeshin aplikimet tek “Shtëpia ime” etj, etj.

Vendimi u mor në një kohë, kur personeli i karantinuar i zyrës së Urbanistikës u rikthye në punë, pasi në mes të qershorit dy punonjës të këtij sektori rezultuan pozitivë me Covid-19. Tuneli dezinfektues para bashkisë do t’u vinte së pari në punë stafit të këtij institucioni, që gjatë muajve të fundit është përballur me fluks të lartë pune për shkak të përmbylljes së dosjeve të qytetarëve përfitues të granteve të rindërtimit si dhe shtëpive që do të rindërtohen nga e para. Në rradhë të dytë, tuneli pritej t’u shërbente qytetarëve, që përgjatë këtyre muajve nuk i kanë ndalur asnjëherë ecejakjet tek institucioni i qeverisjes vendore dhe janë dyndur si rrallëherë para këtij institucioni.  

Por çfarë ndodh sot, kur data shënon 17 gusht? Nga bashkia e Durrësit mësojmë se tenderi për dy tunelet pritet të bëhet së shpejti…

Ndërkohë, edhe tuneli dezinfektues i vendosur në muajin prill tek tregu i fruta-perimeve është hequr. Javën që lamë pas qyteti bregdetar shënoi shifrat më të larta javore që nga nisja e pandemisë me 67 persona pozitivë me Covid-19. Ndërsa vihet re një shkujdesje e qytetarëve në plazhe, njësi shërbimi, lokale etj, institucionet shtetërore duhet të ishin ato që jepnin shembullin e mirë për të respektuar rigorozisht masat e sigurisë anticovid.

Jo më kot, shpesh është nënvizuar se institucionet shtetërore kanë shërbyer si vatra të përhapjes së koronavirusit, kjo edhe për shkak të numrit të lartë të punonjësve dhe fluksit të lartë të qytetarëve. Nëse bashkia propozoi vendosjen e dy tuneleve dezinfektues, me një shumë jo të vogël por 10 milionë lekë të vjetra, mirë do ishte që ato të vendoseshin para përfundimit të pandemisë, sepse në të kundërt do të ishin investimi i radhës publik që nuk u shërben qytetarëve, por…

M.B.