Bashkia e Durrësit më në fund ka mundur të gjejë një drejtor për Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Vendi i mbetur bosh që nga fundi i muajit shkurt, kur ish-drejtoresha e atëhershme Emiriana Sako u votua si nënkryetare bashkie, tashmë do të ketë një titullar.

Bëhet fjalë për Ardian Iljazajn, i cili ka rezultuar kandidati fitues në konkursin ku ishte kandidat i vetëm.

Iljazaj u zgjodh drejtor me procedurën “Nga jashtë shërbimit civil”, pasi dy procedurat e mëparshme “Ngritje në detyrë” dhe “Lëvizje paralele” dështuan për të nxjerrë një kandidaturë të përshtatshme. Konfirmimi i Iljazajt në këtë post bëhet i ditur nga një njoftim në faqen zyrtare të bashkisë Durrës.

Iljazaj vjen në këtë post, pas një viti të vështirë, pasi kujtojmë se një vit më parë, më saktësisht në janar, ai u etiketua “halabak” nga kryeministri Rama që e shkarkoi nga detyra e drejtorit të Hipotekës, ndërsa disa muaj më vonë u arrestua në kuadër të operacionit policor “Rodoni”.

Me shpalljen e Iljazajt fitues, bashkia e Durrësit më në fund arrin të plotësojë një nga katër vakancat në drejtoritë e rëndësishme në institucionin e qeverisjes vendore.

Drejtoria Ekonomike, ajo e Burimeve Njerëzore dhe Drejtoria e Turizmit kanë mbetur pa titullarë, pasi konkurset e shpallura deri më tani nga pushteti vendor kanë dështuar, pasi kandidatët ose nuk plotësonin kriteret për postin që aspironin, ose konsideroheshin të papërshtatshëm nga komisioni përzgjedhës.