Në një kohë që bota po përballet me situatën e vështirë të koronavirusit, masat e rrepta të vendosura nga qeveritë vijojnë ende të respektohen.

Sipas shkencëtarëve është raportuar se distanca prej 2 metrash e pranuar gjerësisht si normë për distancimin fizik jep një “ndjesi të rremë të sigurisë” dhe mund të bëjë që grupe të mëdha njerëzish të ekspozohen ndaj sëmundjes. Por ky studim i kryer në Universitetin e Floridës, nuk i është nënshtruar oponencës nga shkencëtarë të tjerë.

Sipas shkencëtarëve amerikanë thuhet se kanë diktuar grimca infektive të koronavirusit deri në një distancë prej 4.8 metrash larg pacientëve të shtruar në spital.
Ndërkohë, një test pështyme për të zbuluar COVID-19 i krijuar nga Universiteti Yale dhe i financuar nga Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA) mori të shtunën miratimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për përdorim emergjence.

“SalivaDirect” është testi i 5 i pështymës i miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për sëmundjen. Ai analizon pështymën e njerëzve që mendojnë se kanë koronavirus. Njihet si testi më i shpejtë, sepse marrja e rezultatit kërkon më pak se 24 orë. Ai është relativisht i lirë, rreth 10 dollarë, dhe më i thjeshtë, sepse përdor pështymën, pa nevojën e një shtupe hundësh.

Miratimi i testit të ri vjen kur numri ditor i testimeve të konfirmuara të koronavirusit të kryera në SHBA ka rënë për herë të parë, megjithë thirrjet e disa zyrtarëve të shëndetit publik dhe atyre federalë për të rritur ndjeshëm testimet.

Statistika tregojnë se gjatë muajit gusht, në SHBA u testuan çdo ditë rreth 733,000 njerëz, më pak se muajin paraardhës kur ky numër ishte 750,000. Rënia mund të ketë lidhje me faktin se është ulur numri i njerëzve që kërkojnë të testohen, pasi numri i rasteve të konfirmuara është stabilizuar pas pikut të arritur gjatë kësaj vere. Gjithashtu, shumë njerëz heqin dorë nga testimi për shkak të kohës së gjatë të pritjes dhe vonesave në marrjen e rezultatit.

Ndërkohë edhe qeveria britanike u ka bërë thirrje njerëzve që të praktikojnë distancimin shoqëror, por distanca ndryshon në varësi të vendit ku jetoni. Në Skoci dhe Angli, tani ju lejohet të distancohen nga shoqëria në ‘një metër plus’, por këshilla është akoma të qëndrojnë dy metra në distancë, në mbrojtje të koronavirusit.

Edhe Uellsi ka ende në fuqi masën e distancimit prej dy metrash, por në Irlandën Veriore, lejohet distanca sociale prej një metri. Ende është e paqartë sesa metra duhet të qëndrojnë njerëzit larg njëri-tjetrit gjatë periudhës së pandemisë.