Policia portugeze ka nisur kërkimet sërish për Madeleine McCann në rajonin Algarve, kur asokohe 3-vjeçarja britanike u zhduk në vitin 2007, nga një bllok apartamentesh ndërsa ishte me pushime me familjen e saj.

Në një deklaratë, Prokuroria e Përgjithshme tha se po kryente hetime në qytetin gjerman të Braunschweig, kur në vitin 2022 u identifikua shtetasi gjerman Christian Brueckner si i dyshuar në zhdukjen e vogëlushes.

Kërkimi për vajzën do të përqendrohet në një zonë midis Praia da Luz, dhe njërës prej shtëpive ku Christian Brueckner jetoi kur McCann u zhduk, sipas raportimeve nga CNN Portugal dhe gazeta gjermane Bild.

Policia gjermane tha në qershor 2020 se McCann supozohej e vdekur dhe se Brueckner ishte me shumë gjasa autori. Brueckner ka mohuar çdo përfshirje në krim. Ai ndodhet në burg në Gjermani për përdhunimin e një gruaje 72-vjeçare në të njëjtën zonë të Algarves. Kërkimi i fundit për McCann u krye në maj 2023, kur policia kontrolloi një rezervuar të brendshëm në Algarve, por nuk gjeti asgjë.

Natën që Madeleine u zhduk, prindërit e saj po darkonin me miqtë në një restorant, ndërsa Madeleine dhe vëllezërit e motrat e saj binjakë më të vegjël po flinin në apartament. Zhdukja e saj mobilizoi policinë në të gjithë Europën, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të vogëlushes.