Në fjalën e tij hapëse në Ministerialin e Evropës Juglindore, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vuri theksin te tensionet në Lindjen e Mesme, duke thënë se paraqesin rrezik për destabilitet rajonal dhe me pasoja globale. Deklaroi se Shqipëria është në mbështetje të Izraelit, ndërsa bëri thirrje që Irani të ndalë aktivitetet bërthamore.
“Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe qytetarët nga kërcënimet e mirëfillta dhe në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje Iranit të ndalë aktivitetet bërthamore dhe raketat balistike dhe të veprojë në përputhje të plotë me detyrimet e veta, në kuadër të drejtës ndërkombëtare, për mospërhapjen e armëve bërthamore. Përdorimi i tyre do të kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Në këtë kontekst të brishtë, Shqipëria u bën thirrje të gjitha palëve të përpiqen maksimalisht në mënyrë diplomatike për uljen e tensioneve dhe zgjidhje të qëndrueshme politike”, tha Hasani.
Pas fjalës së Hasanit, pritet të mbahet turneu i radhës së folësve. Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”.
Më pas, nga ora 13:00 deri më 13:10, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti. Për rreth 20 minuta, deri në orën 13:30, do bëhet dorëzimi i kryesisë së SEECP-së.
Pas gjithë këtyre, do të mbahet dhe një foto familjare mes liderëve prezentë.





