Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej është zbërthyer para GJKKO-së ditën e sotme në lidhje me financimin që kishte bashkë me të vëllain, Endrit Alibej. Bëhet me dije se ai ka pranuar përfshirjen në trafikun e drogës, ndërsa mohoi çdo përfshirje në vrasje, megjithëse është shprehur se për episodet e vrasjes ka komunikuar në Sky Ecc.
Gjithashtu Alibej tha se kishin bashkëpunuar me Dritan Gjikën për një ngarkesë prej 530 kg kokainë nga Ekuadori drejt portit të Mersinit në Turqi. Ai ka shtuar se gjithçka ndryshoi kur Endriti dhe një turk u vranë. Bashkëpunëtori i drejtësisë përmendi edhe emrin e Suel Çelës, për të cilin tha se ka pasur interes që të nxirrte jashtë loje Endrit Alibejn.
“Unë dhe Endriti kishim nisur një marrëveshje biznesi. Me trafikim drogë normalisht, por s’kemi qenë përzierë kurrë me vrasje. Kemi pas njeriun më të rëndësishëm, u lidhëm me Dritan Gjikën. Endriti dhe shtetasi turk që u vra, mik i familjes tonë, kishim nis një ngarkesë prej 530 kg kokainë për në Turqi. Kishim investuar gjithçka aty. Për episodet e vrasjes kam komunikuar në aplikacionin Sky Ecc. Ne kemi qenë biznesmenë, merreshim me punë të paligjshme kokainë, drogë.
Patëm një biznes me Dritan Gjikën. Ai erdhi na takoi, me Endritin dhe shtetasin turk dhe kishin nisur një ngarkesë prej 530 kg kokainë në Ekuador me destinacion Turqinë. Nga Prokuroria e Elbasanit apo Policia, janë të korruptuar kam fakte. Kishte dy javë që ishte nisur ngarkesa.
Vranë dy njerëzit kryesorë të kësaj ngarkesë, Endritin dhe mikun e tij, turkun, që kishin rol kryesor të nxjerrjes së drogës nga porti. Endriti fliste me njerëzit pa të keq. Anija mbërriti në portin e Mersinit. Përveç se më vranë 2 njerëz të rëndësishëm, më goditën shumë keq ekonomikisht. Deri për bukën e gojës. Suel Çela ka pasur interes me nxjerrë Endritin jashtë loje”, ka deklaruar Alibej.





