Edhe pse armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit që hyri në fuqi së fundmi ka zbutur përkohësisht kërcënimin e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, kjo nuk është hera e parë që Irani ka paralajmëruar për një veprim të tillë.

Të dielën e kaluar, Parlamenti i Iranit votoi për mbylljen e kësaj ngushtice strategjike, që ndodhet mes Iranit dhe Omanit dhe lidh Gjirin Persik me Detin Arabik përmes Gjirit të Omanit.

Megjithatë, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit, organi që merr vendimet përfundimtare në çështjet e sigurisë kombëtare, zgjodhi të mos e zbatojë këtë masë, e cila do të ishte një reagim ndaj sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Armëpushimi që hyri në fuqi të martën ndihmoi në shmangien e përshkallëzimit dhe largoi përkohësisht rrezikun për bllokimin e ngushticës. Por kërcënime të ngjashme nga ana e Teheranit nuk janë të reja.
Në vitin 2011, ish-nënpresidenti iranian Mohammad Reza Rahimi kërcënoi se Irani do ta bllokonte Ngushticën e Hormuzit nëse Perëndimi nuk do të hiqte sanksionet ndaj vendit.

Një arterie jetike për energjinë globale

Sipas një artikulli të Euronews, Ngushtica e Hormuzit luan një rol kyç në tregtinë ndërkombëtare të energjisë, për shkak të sasisë së madhe të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) që kalon përmes saj.

Në vitin 2024 dhe tremujorin e parë të 2025-s, rreth 20% e konsumit global të naftës dhe derivateve të saj, si dhe e gazit të lëngshëm natyror, është transportuar nëpër këtë rrugë detare, sipas të dhënave nga Administrata Amerikane për Informacionin mbi Energjinë (EIA).

Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku, të gjithë anëtarë të OPEC-ut, ekspozojnë pjesën më të madhe të naftës së tyre përmes Hormuzit.
Arabia Saudite dërgon sasi të mëdha të naftës bruto dhe kondensatit (një formë më e lehtë dhe më e paqëndrueshme e naftës), ndërsa Katari është eksportuesi më i madh global i LNG-së, gjithashtu përmes kësaj ngushtice.

Vlerësimet tregojnë se në vitin 2024, rreth 84% e naftës dhe 83% e gazit natyror që kalojnë përmes Hormuzit drejtohen drejt tregjeve aziatike.
Kina, India, Japonia dhe Koreja e Jugut janë destinacionet kryesore, duke përbërë së bashku 69% të eksporteve të naftës bruto dhe kondensatit që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.

Pasojat për Evropën dhe tregun global të energjisë

Edhe pse Evropa është më pak e varur drejtpërdrejt nga Ngushtica e Hormuzit, mbyllja e saj do të shkaktonte tronditje në tregjet globale të energjisë, duke rritur ndjeshëm çmimet.

Sipas analizave të JP Morgan, nëse Irani do të mbyllte ngushticën, çmimi i naftës së papërpunuar mund të arrinte deri në 120 dollarë për fuçi, nga një mesatare prej 80 dollarësh për fuçi në vitin 2024, sipas indeksit të Brent.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, varësia e BE-së nga gazi rus përmes tubacioneve ra ndjeshëm, nga 41% në vitin 2021 në rreth 18% në vitin 2024.
Norvegjia u bë furnizuesi kryesor i gazit natyror për BE-në, duke mbuluar mbi 33% të importeve, ndërsa furnizues të tjerë përfshinin SHBA-në, Algjerinë, Katarin, Mbretërinë e Bashkuar, Azerbajxhanin dhe Rusinë.