Një trup i dekompozuar është zbuluar këtë të hënë në fshatin Shtikë të Kolonjës. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se viktima u gjet panë stacionit elektrik të këtij fshati, rreth orës 15:00.

Si identiteti i viktimës, ashtu sikurse shkaqet e vdekjes, momentalisht nuk dihen. Autoritetet kanë nisur punën për zbardhjen e rastit në fjalë.

“Rreth orës 15:00, në fshatin Shtikë, afër stacionit elektrik, është gjetur i dekompozuar trupi i një njeriu, dyshohet mashkull. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e trupit të pajetë, përcaktimin e shkakut të ndërrimit të jetës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në një njoftim të policisë së Kolonjës për mediat.