Riparimi i dëmeve të shkaktuara nga lufta më shumë se 3-vjeçare – do të kushtojë më shumë se 1 trilion dollarë gjatë një periudhe 14-vjeçare, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal në konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës të mbajtur sot në Romë.

Duke folur në një lidhje me video, Shmyhal tha se Ukraina po shqyrtonte krijimin e dy fondeve me vlerë rreth 1 trilion dollarë.

“Fondi i parë – i administruar nga Kievi – duhet të financohet nga asetet ruse të sekuestruara jashtë vendit me vlerë 540 miliardë dollarë, dhe një fond i dytë me vlerë 460 miliardë dollarë do të mundësohet nga investitorët privatë”, tha ai.

Shmyhal u bëri thirrje aleatëve të vendit të lënë mënjanë fonde shtesë për të mbuluar deficitin në buxhetin e Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.

“Në kushte paqeje dhe pa përfshirë prodhimin e armëve, mirëmbajtja e ushtrisë ukrainase kushton rreth 50 miliardë euro (58 miliardë dollarë) në vit”, tha ai, duke shtuar se Ukraina po mbështetej në gjysmën e kësaj shume që do të sigurohej nga Bashkimi Evropian.

Ukraina ka luftuar kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga shkurti i vitit 2022. Para luftës, Ukraina ishte vendi më i varfër i Evropës, sipas statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.