Irani ka pretenduar se forcat e tij të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar një dron amerikan MQ-9 Reaper mbi Ngushticën e Hormuzit, në një kohë kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit vijojnë të rriten.

Lajmi është raportuar nga agjencitë iraniane Tasnim dhe Fars, të cilat kanë publikuar pretendimin për rrëzimin e dronit amerikan.

Sipas raportimeve, incidenti ka ndodhur në një zonë strategjike të Lindjes së Mesme, ku prej kohësh ka përplasje mes interesave të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Deri tani, SHBA-të nuk kanë dhënë konfirmim për rrëzimin e dronit, ndërsa Irani nuk ka publikuar foto apo video që të vërtetojnë pretendimin.

MQ-9 Reaper është një nga mjetet ajrore pa pilot më të avancuara të ushtrisë amerikane.

Droni përdoret për misione vëzhgimi, zbulimi dhe operacione ushtarake dhe vlerësohet të ketë një kosto prej rreth 34 milionë dollarësh.

Pretendimi i fundit vjen në një periudhë me tensione të shtuara në rajon, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej pikave më të rëndësishme strategjike për transportin global të energjisë.

Autoritetet amerikane ende nuk kanë reaguar zyrtarisht për ngjarjen, ndërsa mbetet e paqartë nëse pretendimi iranian do të konfirmohet apo kundërshtohet nga Uashingtoni.