Të paktën 15 palestinezë, përfshirë tetë fëmijë dhe dy gra, janë vrarë nga një sulm ajror izraelit përpara një klinike në Deir al-Balah, në qendër të Gazës, ku ata po qëndronin në radhë për të marrë ndihma ushqimore, njoftoi spitali al-Aqsa Martyrs.

Pamje të publikuara nga spitali treguan trupa fëmijësh dhe të rriturish të shtrirë në dysheme, ndërsa personeli mjekësor u përpoq t’i shpëtonte.

Organizata humanitare me bazë në SHBA, Project Hope, e cila menaxhon klinikën në fjalë, e cilësoi sulmin si një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar humanitar. Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur një “terrorist të Hamasit” dhe shprehu keqardhje për dëmtimin e civilëve.

Sipas Project Hope, sulmi ndodhi të enjten në mëngjes, në momentin kur pacientët ishin mbledhur para klinikës shëndetësore Altayara për të marrë trajtim kundër kequshqyerjes, infeksioneve dhe sëmundjeve kronike.

“Papritur dëgjuam zhurmën e një droni që afrohej dhe menjëherë pasoi shpërthimi,” tha dëshmitari Yousef al-Aydi për agjencinë AFP. “Toka u drodh nën këmbët tona, dhe gjithçka përreth u kthye në gjak dhe britma.”

Pamje grafike të shpërndara në rrjetet sociale, të verifikuara nga BBC, treguan trupat e fëmijëve dhe të rriturve të shtrirë në rrugë, disa të plagosur rëndë, të tjerë të pajetë.

Në morgun e spitalit al-Aqsa, të afërmit e viktimave qanin ndërsa mbështillnin trupat e fëmijëve me qefin dhe çanta trupore, duke kryer lutjet e fundit.