Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka reaguar për herë të parë ndaj lajmeve që kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si shpifje dhe sulme të padrejta ndaj figurës së saj.

Në një postim në Facebook, Simaku shprehet se ka duruar për një kohë të gjatë në heshtje, por tashmë situata ka kaluar çdo kufi dhe është detyruar të reagojë publikisht.

“Nuk kam dashur kurrë të reagoj ndaj gënjeshtrave, por tashmë nuk mund të hesht më. Është e rëndësishme që ndjekësit e mi të dinë të vërtetën dhe të mos ndikohen nga fjalët e rreme që qarkullojnë. Kam marrë mijëra mesazhe me materiale të krijuara me programe që nuk kanë asnjë lidhje me mua,” shkruan këngëtarja.

Parashqevi Simaku

Simaku shton se beson te drejtësia hyjnore dhe se ky do të jetë reagimi i saj i parë dhe i fundit për këtë temë: “Historia ime është publike, por ka gjëra personale që nuk do t’i zbuloj kurrë. Besoj me gjithë zemër se Zoti do të bëjë drejtësinë e tij në kohën e duhur. Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin.”

Deklarata e këngëtares vjen pas disa javësh ku në rrjete sociale janë shpërndarë materiale të cilat, sipas saj, janë krijuar artificialisht dhe nuk kanë asnjë lidhje me jetën e saj private.