Janë arrestuar këtë të mërkurë, 16 korrik, dy nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë ku trupi i pajetë i të riut u gjet pranë liqenit të Shkopetit.
Në pranga janë vënë Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka, në Tropojë e Tiranë. Ndërsa në kërkim janë shpallur Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Ende nuk dihet cili ka qenë motivi i këtij krimi të rëndë.
Kujtojmë se nga përgjigja paraprake e ekspertizës mjeko-ligjore, rezulton se 23-vjeçari ka humbur jetën nga mbytja me litar.
Renis Dobra, dyshohet se është thirrur në banesën e tij që ndodhet në fshatin Zenisht. Ndërsa trupi i tij u gjet i pajetë rreth 30 km larg shtëpisë, buzë liqenit.
Për zbardhjen e krimit të rëndë, ekspertët e krimeve të policisë së Dibrës, por dhe nga Policia e Shtetit i kanë përqendruar hetimet në disa pista. Sipas burimeve, në Gjermani, është marrë me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij.
Në vendin tonë, 23-vjeçari nuk ka precedent të theksuar kriminal, por ka qenë i dyshuar dhe ishte hetuar për vjedhje banesash. Megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë pistën se i riu ka pasur konflikte për ndonjë vajzë.





