Administrata e Donald Trump ka vendosur që të djegë rreth 500 tonë ushqime emergjente, të cilat ishin blerë për t’u dërguar fëmijëve të uritur në Afganistan dhe Pakistan. Kjo sasi ushqimi do të kishte mjaftuar për të ushqyer rreth 1.5 milionë fëmijë për një javë.

Ushqimet, biskota me vlera të larta ushqyese ishin ruajtur në një depo në Dubai dhe ishin blerë nga agjencia amerikane e ndihmës (USAID) me një kosto prej 800 mijë dollarësh. Por për shkak të një urdhri politik që ndaloi ndihmat e jashtme, ato nuk u dërguan kurrë dhe tani janë pranë skadencës.

Në vend që t’i shpërndajnë diku tjetër, autoritetet kanë urdhëruar që ushqimet të digjen, çka do t’i kushtojë shtetit edhe 130 mijë dollarë të tjerë. Kritikët e kanë quajtur këtë një shpërdorim të rëndë të ndihmës humanitare dhe një veprim të pakuptimtë, në një kohë kur miliona njerëz në botë përballen me uri ekstreme.

Megjithëse zyrtarët amerikanë kishin kërkuar miratimin për dërgesën, nuk morën përgjigje. Sekretari i Shtetit Marco Rubio premtoi se ushqimi nuk do të shpërdorohej, por urdhri për djegien ishte dhënë më herët. Procesi i asgjësimit do t’i kushtojë taksapaguesve edhe 130 mijë dollarë shtesë.

Zyrtarisht, ndihmat humanitare për Afganistanin dhe Jemenin janë ndaluar me arsyetimin se mund të përfitojnë grupet terroriste, por nuk u dha shpjegim për Pakistanin. Ndërkohë, miliona njerëz në vende si Sudani vuajnë nga uria ekstreme dhe mund të kishin përfituar.

Mijëra kuti ushqimesh të tjera ndihme janë ende të pashpërndara në magazina globale dhe rrezikojnë të skadojnë. Shumë ekspertë logjistike të USAID-it janë pushuar, duke e bërë shpërndarjen gjithnjë e më të pamundur. Sipas kritikëve, kjo përbën një dështim i paprecedent i ndihmës humanitare amerikane.