Një 49-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Cologno Monzese të Monzës, pasi kishte kthyer një apartament në laborator për përpunimin e drogës. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan mbi 4 kilogramë kokainë, 2 kilogramë heroinë, si dhe 50 mijë euro cash, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti kriminal.

Operacioni nisi pas një sinjalizimi anonim për lëvizje të dyshimta. Oficerët zbuluan se i arrestuari frekuentonte rregullisht një apartament, duke dalë çdo herë me çanta në dorë. Pas disa ditësh ndjekje, ai u ndalua dhe iu gjetën 30 gramë kokainë dhe substanca për prerje.

Kontrolli i apartamentit zbuloi një laborator të mirëfilltë me lëndë narkotike të paketuara në qese dhe blloqe, agjentë kimikë, kallëpe për stampimin e pakove dhe peshore precize. Hetimet u zgjeruan edhe në banesën e tij në Milano, ku u gjetën mbi 50 mijë euro të fshehura.

49-vjeçari akuzohet për posedim dhe trafik droge me qëllim shpërndarjeje. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar rrjetin e mundshëm të bashkëpunëtorëve.