Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e Labinot-Fushës në Elbasan, ku dy vëllezër të mitur, Françesk Bica (8 vjeç) dhe Darvin Bica (10 vjeç), humbën jetën në mënyrë tragjike pasi u mbytën në lumin Shkumbin.

Dy fëmijët, të cilët ishin duke kullotur bagëtitë bashkë me nënën e tyre, ndaluan pranë lumit për t’u larë, por për fat të keq, nuk arritën të dilnin më në breg për shkak të rrymave të forta. Trupat e tyre të pajetë u gjetën disa orë më vonë në një kanal të lumit nga banorët e zonës.

Sot, familja Bica ka hapur dyert e mortit. Dhimbja është e thellë dhe e papërshkrueshme për familjen dhe komunitetin që i ka njohur dy fëmijët si engjëj të dashur dhe të qeshur.

Në rrjete sociale, familjarë dhe të afërm kanë reaguar me mesazhe të dhimbshme për ndarjen e parakohshme nga jeta të Françeskut dhe Darvinit. “Zemrat e mia, ma këputët shpirtin,” është një ndër reagimet që pasqyron pikëllimin e thellë të familjes.

Mes një dhimbje të pamatë, në orën 16.00 ata u nisën për në banesën e fundit shoqëruar nga një kortezh prej qindra në mos mijëra vetë.

Ngjarja ka hapur sërish diskutimin për sigurinë e fëmijëve pranë zonave ujore dhe nevojën për më shumë vëmendje në ambientet natyrore, veçanërisht gjatë stinës së verës.