Albert Ndreu, shqiptari që jeton në Sheffield të Britanisë së Madhe, i vendosi zjarrin banesës së tij, teksa po mundohej që t’i propozonte të dashurës.

Ai kaloi dy javë duke planifikuar momentin e propozimit, pasi bleu një unazë për të dashurën e tij Valerija Madevic.

“The Telegraph” shkruan se 26-vjeçari kishte vendosur që ta befasonte të dashurën duke e mbushur dhomën e tyre me qirinj dhe 60 tullumbace.

Në momentin që doli për të marrë të dashurën për ta sjellë atë në shtëpi për surprizën, banesa mori flakë.

Zjarrfikësit arritën menjëherë në vendngjarje për të shuar flakët, por dhoma e tyre ishte shkatërruar nga zjarri.

Pavarësisht ngjarjes, 26-vjeçari u ul në gjunjë në mes të dhomës së djegur për t’i propozuar për martesë dhe ajo tha “PO”.

“Valerija gjithmonë thotë se gjëja më e rëndësishme janë gjestet e vogla, por kam dashur të bëj diçka të veçantë për propozimin. Nuk shkoi ashtu si mendoja se do të ndodhte, por ajo tha po, kështu që unë mendoj se dita mori një kthesë të papritur, por përfundoi pikërisht ashtu siç e doja”, tha shqiptari.

Fatmirësisht pjesa tjetër e banesës nuk kishte dëmtime serioze. Ata premtuan se në dasmën e tyre do të ftojnë edhe zjarrfikësit si mysafirë specialë.