E ardhmja e Rona Krasniqit do të jetë në Torino.
Ajo është prezantuar zyrtarisht si lojtare e re e Juventus Women, duke nënshkruar një kontratë afatgjatë që do ta mbajë te gjiganti italian deri më 30 qershor 2028.
Vetëm 16 vjeçe, Krasniqi vjen nga skuadra suedeze Göteborg, ku sezonin e kaluar u bë një nga emrat më të përfolur në futbollin e femrave, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të njohura evropiane.
Performanca e saj e spikatur bëri që Juventusi të vepronte shpejt për të siguruar shërbimet e saj.
“Pas mbushjes së 16 viteve në qershor, Rona Krasniqi shihet si një nga talentet më premtuese në futbollin suedez,” theksoi klubi bardhezi në komunikatën zyrtare.
Me këtë hap, Rona jo vetëm që përfaqëson krenarinë shqiptare, por edhe hyn në një etapë të re në karrierën e saj, duke u bërë pjesë e një prej klubeve më prestigjioze në Europë.





