Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunam deri në katër metra të lartë, dëmtime në ndërtesa dhe duke nxitur paralajmërime dhe evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor, raportoi Reuters.
Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunam dhe urdhra për evakuim.
Sipas Degës Lokale të Institutit Gjeofizik të Akademisë së Shkencave të Rusisë, ky ishte tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1952 në atë zonë. Ata e cilësuan tërmetin si një “ngjarje unike” në deklaratën e publikuar në Telegram.
Epiqendra ndodhej pranë zonës që u godit nga një tjetër tërmet më 20 korrik.
Shkencëtarët deklaruan se situata është “nën kontroll”, por paralajmëruan për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një muaj dhe këshilluan qytetarët të shmangin zonat bregdetare për arsye sigurie.
Sipas Institutit Amerikan të Sizmologjisë, tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash, rreth 125 kilometra nga Petropavlovsk, qytet me rreth 165,000 banorë në bregdetin e gjirit Avaça.





