Në kushtet e pandemisë, kur pronarët e restoranteve duhet të respektojnë distancën mes punonjësve në kuzhinë dhe me klientët, po rritet kërkesa për robotë që gatuajnë. Robotët që bënin pica apo hamburger ishin një pamje argëtuese para shfaqjes së koronavirusit, por tani po bëhen një domosdoshmëri për sigurinë kundër infeksionit.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se rreziku nga COVID-19 nga ushqimi gatshëm, i blerë në restorante është i ulët. Megjithatë, ka plot raste të shfaqjes së infeksioneve që kanë prekur punonjës dhe klientë në restorante të ndryshme. Kjo ka bërë që robotët në kuzhinat komerciale të bëhen gjithnjë e më të kërkuar.

Robotët mund të bëjnë pije të përziera, të bëjnë gatime të thjeshta ose përgatitjen e artikujve për gatim. Prej vitesh ata kanë filluar të shfaqen në spitale apo hotele duke dërguar pjata ushqimesh, apo duke përmbushur porosi të ndryshme. Por që kur u shfaq koronavirusi kërkesat janë shumëfishuar:

“Që kur shpërtheu pandemia potenciali për këtë teknologji dhe kërkesa për robotë që bëjnë gatime është rritur shumëfish. Robotët bëjnë të mundur mjedise më të sigurta të shërbimit ushqimor. Ata punojnë shpejt, pra përmbushin nevojat në raste kur reduktohet stafi i rregullt,” thotë Buck Jordan, themeluesi i kompanisë “Miso Robotics”.

Ekspertët e zhvillimeve teknologjike kanë paralajmëruar prej kohësh se në dekadat e ardhshme robotët do të zëvendësojnë krahun e punës në funksione të pakualifikuara. Por në shërbimin ushqimor duket se pandemia e ka përshpejtuar këtë proces.