Një copëz e rrallë e Marsit, e zbuluar dy vite më parë në Nigeri të Afrikës Perëndimore, është shitur muajin e kaluar në një ankand në Nju Jork për 4.3 milionë dollarë (rreth 3.2 milionë paund), por pa dijeninë apo përfitimin e shtetit të Nigerisë. As blerësi dhe as shitësi nuk janë bërë publikë.
Profesori amerikan Paul Sereno, një paleontolog me lidhje të ngushta me Nigerinë, ka reaguar me zemërim: “E pabesueshme! E turpshme!”, ka thënë ai në një intervistë telefonike nga Çikago. Ai beson se ky meteorit duhet të kthehet në Nigeri.
Bëhet fjalë për copën më të madhe të njohur ndonjëherë të një meteoriti nga Marsi që ka rënë në Tokë, me një peshë prej 24.7 kilogramësh. Meteoriti dukej spektakolar në fotot e publikuara nga ankandi Sotheby’s, duke reflektuar nuanca argjendi dhe të kuqe, gjë që rriti më shumë interesin dhe vlerën e tij.
Qeveria e Nigerisë ka reaguar zyrtarisht, duke shprehur dyshime mbi ligjshmërinë e eksportit të meteoritit, dhe ngriti shqetësime për trafikim të mundshëm ndërkombëtar të paligjshëm. Ende nuk është e qartë nëse ndonjë përfitim financiar nga shitja ka shkuar për Nigerinë.





