Mesfushori Muço Boçi beson te Teuta për sezonin e ri. Ai thekson se “Djemtë e detit” nuk janë një skuadër që bën premtime të mëdha, por në fund realizon synimet e vendosura. Ajo që ndodhi edicionin e fundit do të tentohet të përsëritet edhe këtë vit.

Si paraqitet gjendja e ekipit pasi dje mbyllët edhe fazën e dytë në Poloni?

Kushtet ishin shumë të mira, temperaturat ishin normale, nuk ishte ai i nxehti që kishte qenë para se të vinim këtu. U përgatitëm 100% çdo ditë me përkushtim dhe me nga dy seanca stërvitore në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe kryesorja është që nuk kemi dëmtime.

Boçi, jeni i lumtur që keni zgjedhur të jeni pjesë e Teutës edhe për një sezon?

Jam duke u rritur dhe Teuta është klubi perfekt që mund të më mësojë shumë gjëra. Ndihem shumë mirë dhe jam i lumtur që ndodhem këtu, në një nga klubet më të mira në Shqipëri. Do të jap gjithmonë maksimumin tim për këtë fanellë.

Keni zhvilluar disa miqësore, si i keni parë?

Miqësoret janë ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.

Shorti i ka rezervuar Teutës ndeshjen e parë me Dinamon në shtëpi. Mendoni se do ta nisni mbarë?

Shorti është gjithmonë i vështirë, sepse kushdo qoftë skuadra, ne e kemi parë që nuk është e thjeshtë me asnjë ekip. Dinamo është një skuadër që vjen nga një sezon i mirë, personalisht e kam parë të bëjë një futboll të mirë dhe ka një skuadër cilësore. Kështu që duhet të japim maksimumin dhe të përgatisim ndeshjen mirë për ta fituar.

Çfarë objektivi ka Teuta për sezonin e ri?

Në ditët e mbetura deri në fillimin e kampionatit do të vazhdojmë të stërvitemi fort për të qenë gati për nisjen e sezonit të ri. Deri më tani ekipi i është përgjigjur më së miri kërkesave të teknikut, çka na jep besim se fillimi i kampionatit do të jetë pozitiv për Teutën. Sezonin e ardhshëm futbollistik, objektivi i Teutës do të jetë renditja në vendet e para të klasifikimit, për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Teuta ka ndërtuar një ekip me lojtarë të rinj, të cilët japin garanci. Nuk jemi skuadër që bëjmë premtime, pasi detyra jonë është që të flasim në fushë dhe të realizojmë synimet që na vendos klubi.

Në aspektin personal, çfarë synimesh keni me Teutën?

Normalisht që synimi im është të fitoj një trofe me Teutën. Shpresoj të bëj ndeshje sa më të mira me skuadrën time dhe të rikthehemi më të fortë se një sezon më parë.