Evropa po përjeton një verë të zjarrtë, jo vetëm nga temperaturat mbi 40°C, por edhe nga një rritje alarmante e zjarreve pyjore.
Sipas La Repubblica, të dhënat e përditësuara deri më 22 korrik 2025 tregojnë se në vendet e BE-së janë djegur 237.153 hektarë, një rritje prej gati 78% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i zjarreve është rritur me rreth 45%, ndërsa emetimet e CO₂ kanë shënuar 23% më shumë.
Në orët e fundit, frontet e flakëve janë shtrirë nga Portugalia në Turqi, duke përfshirë Spanjën, Francën dhe Greqinë. Dhjetëra viktima janë regjistruar: në periferi të Madridit një punonjës skuderie humbi jetën bashkë me disa kuaj që po përpiqej të shpëtonte; në Shqipëri dhe Mal të Zi janë shënuar humbje të tjera njerëzore mes zjarrfikësve dhe ushtarëve në detyrë. Në Tarifa, Spanjë, mbi 2 mijë banorë janë evakuuar, ndërsa 1 mijë ushtarë janë mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë zjarrfikësve që vetëm në Castiglia janë përballur me 32 vatra të reja brenda një dite.
Situata është po aq kritike në Portugali, ku një zjarr pranë Vila Real ka djegur prej dhjetë ditësh zonën përreth, ndërsa 1 mijë e 300 zjarrfikës janë angazhuar në dy fronte të tjera të mëdha. Në Greqi, 4 mijë e 850 zjarrfikës dhe 62 mjete ajrore po luftojnë me flakët në Peloponez, ishullin Chios dhe zonat veriore të Prevezës.
Shkencëtarët nuk kanë më dyshime për lidhjen midis ngrohjes globale dhe rritjes së rrezikut nga zjarret. Emetimet e gazeve serrë nga përdorimi i karburanteve fosile kanë ngrohur planetin me rreth 1,3°C, duke krijuar periudha të gjata thatësire dhe duke e kthyer Mesdheun në një zonë veçanërisht të ekspozuar. Sipas një studimi të botuar në Nature Climate Change, deri në fund të shekullit, sipërfaqja e djegur në nivel global mund të rritet me 40% edhe nëse ndotja reduktohet ndjeshëm; në skenarin më negativ, ajo do të dyfishohet.
Përveç pasojave të menjëhershme, humbje jetësh, shkatërrim të biodiversitetit, dëmtim të infrastrukturës, zjarret e shpeshta dëmtojnë ekosistemet në periudhë afatgjatë.
“Tokat e djegura bëhen më të ndjeshme ndaj përmbytjeve dhe erozionit, pasi humbasin mbrojtjen e vegjetacionit,” shpjegon Ioanna Stamataki, studiuese në Universitetin e Greenwich.
Një tjetër rrezik vjen nga ndotja e ajrit. Organizata Meteorologjike Botërore ka paralajmëruar se tymi nga zjarret, i kombinuar me valët e të nxehtit, po përkeqëson ndjeshëm shëndetin publik, siç kanë përjetuar ditët e fundit qytetet amerikane pranë pyjeve kanadeze në flakë.





