Në fjalën e saj në Parlamentin Europian këtë të martë, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vuri në pah ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke theksuar veçanërisht zhvillimet me Shqipërinë.

Kos deklaroi se Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm përpara pas përmbushjes së standardeve të përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i hap rrugën vendit për të nisur procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Ajo nënvizoi megjithatë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë në kuadër të reformave të kërkuara nga BE.

Sipas saj, aktualisht ekziston një “dritare mundësie” për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, ndërsa Komisioni Europian është i gatshëm të ecë përpara me vendet e rajonit, për sa kohë ato vijojnë reformat dhe përafrohen me politikat e Bashkimit Europian.

Kos theksoi gjithashtu se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë dhe se mbështetja e institucioneve europiane do të jetë e fortë për vendet që tregojnë progres të qëndrueshëm në rrugën e integrimit.

Fjala e Marta Kos:

Vetëm dje, siç e dëgjuam, mbyllëm përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë me Malin e Zi, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në rreth gjysmën e tyre. Përparimi i Malit të Zi ka bërë që Këshilli të nisë gjithashtu hartimin e traktatit të anëtarësimit të tij, i pari pas 17 vitesh. Ky do të jetë një brez i ri traktatesh anëtarësimi. Këto janë hapa që nuk i kemi parë që nga koha kur Kroacia negocionte anëtarësimin.

Edhe Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Duhet të shohim këtë lëvizje përpara nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot ekziston një dritare mundësie për të avancuar drejt anëtarësimit dhe ne po inkurajojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojnë atë.

Në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, dëgjuam angazhime të qarta nga të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor se rruga drejt BE-së është prioriteti i tyre strategjik.

Komisioni Europian është i gatshëm të ecë përpara me të gjitha këto vende, nëse ato përmbushin angazhimet e tyre për reforma dhe tregojnë përafrim të mjaftueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si edhe me politikën e vizave.

E di se mund të mbështetem edhe tek ky Parlament në ndjekjen e një procesi zgjerimi të bazuar rreptësisht në meritë – kjo mbetet ende e vlefshme – që mbështet të gjithë partnerët tanë të zgjerimit në çdo fazë, por që është gjithashtu i qartë dhe i vendosur kur shohim se përparimi është i pamjaftueshëm apo ka regres.

Dhe jam dakord me ju, zoti Weiz: nëse ata po japin rezultate, edhe ne duhet të japim rezultatet tona. Pasi u kemi dhënë statusin e vendit kandidat, ky është një angazhim edhe nga ana jonë.

Prandaj, le t’i mbështesim kudo që është e mundur dhe le të jemi në krahun e tyre ndërsa punojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.