Kisha 113-vjeçare në Kiruna të Suedisë po lëviz drejt një destinacioni të ri.
Tkurrja e tokës e shkaktuar nga zgjerimi i minierës më të madhe në botë për mineralet e hekurit e ka detyruar pjesën më të madhe të qytetit të zhvendoset.
“Jam i impresionuar. Nuk e mendoja se ishte e mundur të lëvizje një kishë dhe ne pamë gjithë procesin”, tha një turist.
Ajo është ndërtuar në vitin 1912 dhe operacioni për lëvizjen e saj konsiderohet si më i rëndësishmi në projektin që parashikon vendosjen e objektit të kultit në një vend më të sigurt.
“Kur nxjerrim minerale, ndodhin çarje në tokë. Aq më thellë që shkon, aq më larg shkojnë plasaritjet. Kështu që disa pjesë të qytetit Kiruna duhet të zhvendosen”, tha Ulrika Huhtaniska, përfaqësuese për komunikimin në minierë
Transportimi i kishës, që cilësohet si një nga më interesantet, u bë me kamionë pas një viti punë përgatitore, duke përfshirë edhe zgjerimin e rrugëve.
“Një nga pyetjet e para ishte, si do ta bëjmë? A do ta vendosim në pjesë siç kemi vepruar në rastet e tjera? A do të zhvendoset e gjitha? Ka 40 metra gjerësi dhe peshon 700 ton. Duhet të zgjeronim rrugët”, shtoi Huhtaniska.
Sipas autoriteteve, vlerësohet se rreth 3 mijë shtëpi dhe 6 mijë banorë, së bashku me shumë ndërtesa publike dhe tregtare, do të kenë tashmë një vendndodhje të re. Disa struktura do të shkatërrohen dhe rindërtohen. Të tjera, si kisha, do të transportohen të paprekura.
Projekti pritet të përfundojë në vitin 2035.
Miniera daton që nga vitet 1890 dhe është në pronësi të shtetit. Prodhimi i saj shitet në mbarë botën, duke siguruar të paktën 80% të mineralit të hekurit në Europë.





