Tetë ditë para nisjes së kampionatit, mesfushori Matias Lloci flet për gjendjen e skuadrës, pritshmëritë për sezonin e ri dhe sfidën e parë ndaj Dinamos. Teuta po përgatitet intensivisht për nisjen e sezonit të ri futbollistik, ndërsa entuziazmi dhe atmosfera pozitive duken të pranishme në kampin durrsak. Mesfushori Matias Lloci, i cili këtë vit do të veshë fanellën e “Djemve të detit”, shprehet i kënaqur me gjendjen aktuale të ekipit dhe optimist për objektivat që janë vendosur.

“Jemi duke bërë stërvitje të mira me kushte shumë të mira. Temperaturat janë normale dhe nuk kemi pasur atë të nxehtin e verës që na ka shoqëruar më parë. Përgatitemi çdo ditë me përkushtim dhe mbi të gjitha, gjendja e ekipit është e mirë pasi nuk kemi dëmtime,”.

“Jam duke u rritur dhe Teuta është klubi perfekt për të mësuar shumë gjëra. Ndihem shumë mirë këtu dhe do të jap gjithmonë maksimumin tim për këtë fanellë.”

Për miqësoren me Kukësin- Teuta zhvilloi një test të fundit miqësor ndaj Kukësit, që sipas Llocit ka pasur më tepër funksion stërvitor: “Miqësoret janë për të parë gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe deri në nisjen e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.”

Ndeshja kundër Dinamos – Shorti i ka rezervuar Teutës një duel të fortë në start, në shtëpi ndaj Dinamos. “Çdo ndeshje është e vështirë në këtë kampionat. Dinamo ka ardhur nga një sezon i mirë dhe është skuadër cilësore, por ne do të përgatitemi maksimalisht për ta nisur mbarë,” – theksoi Lloci.

Objektivat – Qëllimi i Teutës për këtë sezon është i qartë: të kapë zonën europiane. “Ekipi po i përgjigjet shumë mirë kërkesave të stafit teknik. Kjo na jep besim për një fillim pozitiv. Objektivi është që të renditemi në vendet e para për të siguruar pjesëmarrjen në Europë. Ne nuk bëjmë premtime, por flasim në fushë”, u shpreh mesfushori.

Në aspektin personal, Lloci ka një dëshirë të qartë: “Normalisht synimi im është të fitoj një trofe me Teutën. Dua të zhvilloj ndeshje sa më të mira dhe të ndihmoj skuadrën time për të qenë edhe më e fortë se një sezon më parë.”