Topi i futbollit do të rrotullohet sërish në fushat e gjelbra të premten, kur edhe starton edicioni 2025/26 në elitën e futbollit shqiptar. Teuta pret në shtëpi Dinamon, në një duel që pritet të jetë i luftuar. Para ndeshjes së parë të sezonit të ri, ka folur kapiteni i bluve, Blerim Kotobelli, duke shprehur pritjet për takimin.
Blerim, si paraqitet gjendja e ekipit disa ditë para ndeshjes premier me Dinamon?
Gjendja në skuadër është shumë e mirë, ka entuziazëm dhe jemi të gjithë të bashkuar. Falë Zotit nuk kemi dëmtime dhe jemi gati për sezonin e ri.
A është gati Teuta për startin e sezonit?
Do të kemi ndeshjen e parë të kampionatit të ri dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë duel. E dimë se nuk do ta kemi aspak të lehtë, sepse përballë kemi një skuadër që po bën mirë në Europë. Mendoj se ata do ta kenë një motiv të madh, pasi do të luajnë kundër nesh. Mirëpo, ne duhet të shohim punën tonë, të japim maksimumin dhe të dalim fitimtarë nga kjo ndeshje.
Kundërshtari do të jetë i motivuar në debutim. Sa ju shqetëson kjo?
Siç e thashë edhe më lart, përballë do të kemi një ekip si Dinamo, një skuadër që ka cilësi. Normalisht, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne, pasi Teuta është motiv i madh për çdo rival. Por ne duhet të mendojmë për veten, të japim maksimumin dhe të marrim rezultatin e dëshiruar, që është fitorja. Shpresojmë me ndihmën e Zotit ta nisim mbarë kampionatin dhe që në ndeshjen e parë të marrim tri pikët e para.
Një trepikësh në premierë do t’ju bënte shumë punë. Si e shihni?
Unë besoj se në rast se e studiojmë kundërshtarin, do të bëjmë të pamundurën për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Por kjo gjë nuk na bën as ta nënvlerësojmë dhe as ta mbivlerësojmë kundërshtarin. Duhet të bëjmë lojën tonë, të futemi në fushë për të marrë një rezultat pozitiv, siç është fitorja, dhe të tentojmë ta nisim mbarë.
Si e shihni këtë sezon të ri, do të jetë më i vështirë?
Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, sepse diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Duhet të bëhemi një skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate. Kush është ai që nuk do të dalë sa më mirë? Sigurisht, si unë ashtu edhe të gjithë në klub kemi këtë dëshirë.





