Nëse po mendoni të shkoni drejt plazhit dhe jeni në merak se kush do të kujdeset për lulet tuaja në shtëpi, ne do të ju vijmë në ndihmë përmes këtij artikulli.
Gjëja e parë që duhet të bëni është t’i largoni vazot në një vend të ballkonit apo verandës së shtëpisë tuaj ku nuk bie dielli. Sa më pak diell të ketë, aq më ngadalë do të avullojë lagështia nga dheu.
Gjithashtu, para se të largoheni nga shtëpia është mirë që t’i ujisni dhe njëherë të fundit. Nëse pushimet tuaja do të zgjasin 7 deri në 10 ditë atëhere disa nga alternativat që keni për të mbajtur bimët në lagështinë e duhur janë këto:
Mbushni bidona plastikë dhe mbyllni kapakun e tyre lirshëm ose hapni disa vrima në të. Më pas vendosni bidonat të kthyer për mbrapsht në brendësi të vazos.
Gjithashtu një zgjidhje më efikase është vendosja e një garze në një bidon me ujë dhe më pas ta vendosim në vazon e lules, ajo do ndihmojë mbajtjen e lagështisë për një kohë sa më të gjatë. Mund të merrni në dyqan edhe një xhel apostafat, që ruan lagështinë e dheut.





