Ruajtja e shëndetit, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, është një qëllim i përbashkët për shumë njerëz. Megjithatë, rregullimi i peshës trupore, urisë dhe ngopjes ndodh automatikisht, pa komandë të vetëdijshme. Ashtu si rrahjet e zemrës, tretja ose frymëmarrja, ato janë disa nga funksionet e pavetëdijshme të trupit.

Disa hormone luajnë rol që ne të konsumojmë sasinë e duhur të ushqimit që na nevojitet për të furnizuar trupin tonë çdo ditë. Ato janë përgjegjëse për sinjalizimin në tru, rregullimin e urisë dhe ngopjes.

Grelina dhe leptina janë dy hormone që janë të përfshira në rregullimin e urisë dhe ngopjes, në bashkëpunim me hormone të tjera (GLP-1, kortizol dhe insulinë).

Sistemi i rregullimit të urisë dhe ngopjes është shumë i rëndësishëm, pasi përcakton dhe jep sinjalet për marrjen e ushqimit që trupi ka nevojë vërtet gjatë ditës.

Nëse kjo nuk është e rregulluar, atëherë mund të çojë në rritjen e marrjes së ushqimit, më shumë sesa ajo që trupi ka nevojë vërtet. Kjo situatë në planin afatgjatë mund të çojë në shtim në peshë dhe obezitet. Hormonet, me fjalë të tjera, veprojnë si lajmëtarë kimikë për të ndihmuar në kontrollin e sasisë së ushqimit që hamë.

Ndjenjat e urisë dhe të ngopjes krijohen nga truri në përgjigje të një kombinimi sinjalesh, duke përfshirë dy hormone kyçe. Sasia e këtyre hormoneve në gjakun tonë rritet dhe ulet, duke i sinjalizuar trurit se sa uri nevojitet në çdo moment të caktuar.

Në realitet, ekziston një bashkëveprim kompleks midis trurit, organeve të sistemit gastrointestinal dhe indit dhjamor (domethënë yndyrës trupore). Grelina ka efekte afatshkurtra: Na bën të uritur për vaktin tonë të radhës. Leptina ka efekte afatgjata: Na ndihmon të ruajmë peshën tonë normale të trupit duke kontrolluar nivelet e përgjithshme të urisë dhe ngopjes.