Presidenti amerikan Donald Trump po këmbëngul në idenë e tij për ta shndërruar Gazën në një vendpushim turistik.

Plani i tij për t’i detyruar banorët e territorit të largohen është të paguajë 5000 dollarë për çdo banor. Përveç kësaj, të gjithë do të kenë qiranë e paguar për katër vjet në një vend tjetër dhe ushqim falas  për një vit.

Kjo shpjegohet në raportin 38-faqësh të siguruar nga The Washington Post, emri i plotë i të cilit është ‘Gaza Reconstitution, Economic Acceleration and Transformation Trust’. Akronimi qëndron për GREAT.

Aktualisht, rreth dy milionë njerëz ndodhen në Gaza. Plani i Donald Trump parashikon që Shtetet e Bashkuara të mbikëqyrin zonën për dhjetë vjet. Pas kësaj periudhe, SHBA-të do t’ia dorëzojnë kontrollin autoriteteve palestineze. Ato do ta menaxhojnë territorin, gjithmonë të lirë nga çdo konflikt apo radikalizim.

Burimet e konsultuara nga media e lartpërmendur, të cilat këmbëngulën të mbeteshin anonime, tregojnë se ky projekt është i përqendruar në realizimin e vizionit të presidentit për Rivierën e Lindjes së Mesme. Presidenti republikan e shprehu këtë qëllim shkurtin e kaluar, me deklarata që u pritën me habi dhe polemika të mëdha.

Projekti GREAT pohon se largimi i banorëve të Gazës do të jetë vullnetar. Nëse ata nuk vendosin të largohen nga vendi i tyre i banimit, ata mund të strehohen në apartamente në qytetet e reja që do të ndërtohen në Gaza.

Plani i rindërtimit është shumë i detajuar dhe do të ndërtohen midis gjashtë dhe tetë qytete “të zgjuara” (smart), me një prani të konsiderueshme të Inteligjencës Artificiale. Turizmi dhe teknologjia duket se janë tiparet dalluese të Rivierës së Lindjes së Mesme të konceptuar nga Shtetet e Bashkuara.

‘Post’ shpjegon se  raporti i Trustit për Rindërtimin, Përshpejtimin Ekonomik dhe Transformimin e Gazës ka parashikuar një kthim të madh të investimit për projektin. Konkretisht, rindërtimi i Gazës do të kushtojë 100 miliardë dollarë dhe investimi do të katërfishohet gjatë dhjetë viteve.