Gjermania po udhëheq një manovër të madhe ushtarake që fokusohet në zhvendosjen e trupave dhe pajisjeve drejt Lituanisë, ndërsa tensionet me Rusinë në kufirin lindor të NATO-s vazhdojnë të rriten, sipas AP.
Zyrtarë të lartë ushtarakë gjermane, së bashku me ambasadorët e shteteve baltike dhe oficerë nga vende të tjera, morën pjesë sot në portin e Rostokut për të parë një traget të ngarkuar me mjete ushtarake që u nis drejt Klaipedës, Lituani, i shoqëruar nga policia, një korvetë, një anije gjuajtëse minash dhe një helikopter.
Ekspertë ushtarakë demonstruan gjithashtu interceptimin e dronëve në ajër dhe në ujë, ndërsa avionë luftarakë Eurofighter fluturuan mbi port.
Stërvitja, e quajtur “Quadriga”, është nën drejtimin e marinës gjermane, por në të marrin pjesë edhe forcat tokësore dhe ajrore.
Ajo përfshin mbi 8 000 ushtarakë nga 14 vende, mes tyre të gjithë aleatët e NATO-s me brigje në detin Baltik, si edhe SHBA, BM, Franca dhe Kanadaja.
Ushtria gjermane bëri të ditur se 40 anije, 20 avionë dhe mbi 1 800 mjete rrugore po marrin pjesë në manovër.





