Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re ndihme sigurie për Ekuadorin, gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit Marco Rubio në këtë vend andean, ndërsa Uashingtoni synon të forcojë përpjekjet për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe kartelet e drogës.
Paketa përfshin mbi 13 milionë dollarë ndihmë të përgjithshme për sigurinë në Ekuador, si dhe 6 milionë dollarë për blerjen e dronëve për Marinën Ekuadoriane, tha Rubio.
“Ky është vetëm fillimi i asaj që mund të bëjmë së bashku,” u shpreh ai, duke shtuar se SHBA është e gatshme të shqyrtojë hapjen e një baze ushtarake në Ekuador nëse ftohet nga autoritetet lokale.
Presidenti ekuadorian Daniel Noboa mbështet krijimin e një baze të tillë, por sipas kushtetutës së vendit, kërkohet miratimi i qytetarëve përmes një referendumi. SHBA më parë kishte një bazë ushtarake në qytetin bregdetar Manta, por u largua në vitin 2009 me urdhër të ish-presidentit të atëhershëm të Ekuadorit.
Rubio gjithashtu njoftoi se dy grupe kriminale ekuadoriane, Los Choneros dhe Los Lobos, janë shpallur nga SHBA si organizata të huaja terroriste.
Udhëheqësi i supozuar i Los Choneros, Jose Adolfo “Fito” Macias Villamar, është paditur në SHBA për akuza të trafikut të drogës dhe armëve. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim në SHBA dhe ka deklaruar se është i pafajshëm.
Të dy bandat janë sanksionuar nga SHBA në vitin 2024.
Sipas Rubio, kjo shpallje si organizata terroriste u mundëson autoriteteve amerikane të sekuestrojnë asetet e grupeve dhe të përmirësojnë ndarjen e inteligjencës me autoritetet ekuadoriane.
Krimet e dhunshme në Ekuador kanë njohur rritje të ndjeshme, pavarësisht përpjekjeve të presidentit Noboa për të frenuar dhunën e bandave të lidhura me trafikun e drogës. Numri i vrasjeve është rritur me 40% në shtatë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.





