Një rast i rëndë ka tronditur Indinë, ku një grua e moshuar u braktis nga familja e saj dhe u la buzë rruge në mes të natës. Pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë tregojnë fytyrën e ftohtë të një realiteti që mjerisht nuk po kufizohet më vetëm jashtë vendit.
Ky fenomen, i cili dikur dukej i largët për shoqërinë tonë, po përhapet gjithnjë e më shumë edhe në trojet tona. Në një vend të vogël si Shqipëria, ku krenohemi për vlera, tradita dhe respekt për të moshuarit, shpesh i lëmë ata në mëshirë të fatit.
Mjafton të kujtojmë rastin e të moshuarit në Korçë, i cili u gjet i vdekur shumë muaj pasi kishte ndërruar jetë, sepse askush nuk u interesua për të. Apo rastin e nënës me 10 fëmijë, ku mes tyre nuk kishte mirëkuptim, por vetëm sherr e shamata se kush do ta mbante, sepse askush nuk donte t’i dilte për zot.
A jemi duke degraduar kaq shumë si shoqëri, sa të vijë një ditë që të moshuarit tanë t’i lemë në rrugë, ashtu si në këto pamje?





