Ish-drejtoresha e Burimeve Njerëzore në kompaninë Astronomer, Kristin Cabot, ka paraqitur kërkesën për divorc nga bashkëshorti i saj Andrew Cabot, vetëm pak javë pasi u filmua në “kiss cam” gjatë koncertit të Coldplay me ish-CEO-n e Astronomer, Andy Byron.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Kristin ka dorëzuar kërkesën për divorc në Portsmouth, New Hampshire, më 13 gusht.

Skandali shpërtheu pasi momenti i tyre u transmetua në ekranin gjigant gjatë koncertit, pasi Chris Martin paralajmëroi fansat se fytyrat e tyre mund të shfaqeshin aty. Pamjet treguan Kristin dhe Byron duke u përqafuar dhe më pas duke u larguar me shpejtësi sapo vunë re kamerat. Kjo ndezi menjëherë spekulime për një lidhje jashtëmartesore.

Ish-bashkëshortja e Andrew Cabot, Julia, i tha Daily Mail se ndarja nuk ishte surprizë. Ajo zbuloi se Andrew i kishte dërguar një mesazh menjëherë pas koncertit, duke i shkruar: “Jeta e saj nuk ka të bëjë me mua” dhe se ata tashmë ishin duke u ndarë.

Julia shtoi: “Ai thotë se kjo s’ka të bëjë me të, edhe pse ishin të martuar dhe jetonin bashkë. Por gjëja e vetme që i intereson Andrew është paraja. As Kristin, as Andrew nuk dukeshin të përshtatshëm për martesë.”