Erin Patterson, 50-vjeçarja nga Australia që helmoi me qëllim tre anëtarë të familjes së ish-bashkëshortit të saj me kërpudha vdekjeprurëse gjatë një dreke në shtëpinë e saj, është dënuar me tre burgime të përjetshme dhe 33 vite pa të drejtë lirimi me kusht.

Ngjarja tronditëse ndodhi në korrik të vitit 2023 në qytetin e vogël Leongatha dhe ka tërhequr vëmendjen mbarëkombëtare e ndërkombëtare, duke u bërë temë e podcasteve dhe dokumentarëve të shumtë.

Viktimat ishin prindërit e Simon Patterson (ish-bashkëshortit të saj), Don dhe Gail Patterson, si dhe tezja e tij, Heather Wilkinson. Ata ndërruan jetë disa ditë pas konsumimit të një vakti që ishte përgatitur me kërpudha “death cap”, ndër më helmuese në botë. I vetmi që mbijetoi ishte bashkëshorti i Heather, pastori Ian Wilkinson, i cili kaloi javë të tëra në gjendje kritike.

Gjatë gjykimit 10-javor, doli se Erin kishte vepruar me paramendim, duke mbledhur kërpudhat pranë shtëpisë së saj, i kishte tharë me një pajisje që më pas e hodhi në qendër riciklimi, dhe kishte gënjyer për origjinën e tyre, duke pretenduar se i kishte blerë në supermarket. Ajo gjithashtu kishte mashtruar autoritetet duke thënë se kishte ngrënë të njëjtin ushqim me fëmijët e saj, gjë që rezultoi e rreme.

Patterson ka afat deri më 6 tetor për të apeluar vendimin, por për momentin do të vuajë një dënim të gjatë dhe të rëndë.