Rusia ka reaguar për herë të parë ndaj incidentit të ndjeshëm që ndodhi në hapësirën ajrore të Polonisë, ku u rrëzuan disa dronë të paidentifikuar gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore.

I ngarkuari me punë i Rusisë në Poloni, Andrei Ordash, tha se autoritetet polake nuk kanë paraqitur asnjë provë që vërteton se dronët ishin me origjinë ruse. Deklarata u raportua nga agjencia shtetërore ruse RIA Novosti.

Sipas burimeve diplomatike, Ordash është thirrur nga Ministria e Jashtme e Polonisë, si pjesë e reagimit zyrtar pas shkeljes së hapësirës ajrore të vendit, që çoi më pas në aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s nga ana e Varshavës.

Ky përbën reagimin e parë zyrtar të Moskës, ndërsa vëmendja tashmë është e përqendruar tek qëndrimi që do të mbajë Kremlini në lidhje me incidentin dhe tensionet në rritje në krahun lindor të NATO-s.

Autoritetet ndërkombëtare dhe aleatët euroatlantikë kanë theksuar nevojën për verifikim dhe transparencë, ndërsa situata në kufijtë lindorë të BE-së dhe NATO-s mbetet tepër e tensionuar.

Nga ana e tij kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha në parlament se gjatë natës janë shënuar 19 hyrje të paautorizuara në hapësirën ajrore polake, pjesa më e madhe e dronëve duke ardhur nga Bjellorusia. Ai shtoi se është konfirmuar rrëzimi i tre dronëve, ndërsa një i katërt ka shumë gjasa të jetë goditur.

“Fakti që këta dronë, të cilët paraqisnin kërcënim për sigurinë, u rrëzuan, e ndryshon situatën politike. Për këtë arsye, konsultimet me aleatët morën formën e një kërkese zyrtare për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s”, tha Tusk.

Neni 4 i Traktatit të NATO-s thotë se”Palët do të këshillohen bashkërisht kurdoherë që, sipas mendimit të cilësdo prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e cilësdo prej palëve”.