Sigma Vienna Insurance Group njofton emërimin e znj. Teuta Zaiti Hoti në pozicionin e Drejtoreshës Ekzekutive të Degës në Kosovë, pas miratimit të emërimit të saj nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin dhe kërkesat rregullatore në fuqi për sektorin e sigurimeve.
Me mbi 25 vite përvojë në industrinë e sigurimeve, prej të cilave më shumë se 20 vite në pozita drejtuese, znj. Hoti sjell një ekspertizë të konsoliduar në menaxhim, zhvillim biznesi, sigurime të jetës dhe jo-jetës, menaxhim të rrezikut, zhvillim produktesh dhe rrjete shitjeje.
Ky emërim pasqyron angazhimin e Vienna Insurance Group për të forcuar më tej lidershipin, qeverisjen korporative dhe zhvillimin afatgjatë të operacioneve të saj në Kosovë, duke mbështetur rritjen e qëndrueshme të kompanisë dhe krijimin e vlerës për klientët, partnerët dhe komunitetin.
“Është privilegj për mua të marr drejtimin e Sigma Vienna Insurance Group në Kosovë. Së bashku me ekipin tonë të përkushtuar, mbështetjen e Vienna Insurance Group dhe partnerët tanë, do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi themelet e forta të kompanisë. Prioriteti ynë do të jetë të forcojmë më tej besimin e klientëve, të zhvillojmë zgjidhje inovative dhe të vazhdojmë rritjen e qëndrueshme të kompanisë,” u shpreh znj. Teuta Zaiti Hoti.
Si pjesë e Vienna Insurance Group, një nga grupet lider të sigurimeve në Evropën Qendrore dhe Lindore, Sigma mbetet e përkushtuar në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve cilësore, zhvillimin e zgjidhjeve moderne të sigurimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata me klientët dhe partnerët, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të sigurimeve në Kosovë.
Profil Profesional
Teuta Zaiti Hoti është profesioniste me mbi 25 vite përvojë në industrinë e sigurimeve, prej të cilave më shumë se 20 vite në pozita drejtuese. Gjatë karrierës së saj ka udhëhequr funksione kyçe në fushën e sigurimeve të jetës dhe jo-jetës, zhvillimit të produkteve, menaxhimit të rrezikut, rrjeteve të shitjes, bancassurance dhe sigurimeve shëndetësore.
Ajo ka drejtuar procese të rëndësishme të transformimit organizativ dhe zhvillimit të biznesit, si dhe ka kontribuar në zhvillimin institucional të sektorit të sigurimeve në Kosovë.
Për më shumë se një dekadë, znj. Hoti ka kontribuar në zhvillimin profesional të sektorit si trajnuese pranë Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, duke ofruar trajnime për licencimin dhe zhvillimin profesional të agjentëve të sigurimit dhe stafit të kompanive, në përputhje me standardet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Ajo ka diploma Master i Shkencave në Menaxhim dhe Informatikë nga Universiteti Riinvest dhe Bachelor i Shkencave në Sigurime. Formimi i saj akademik përfshin gjithashtu studime në Stomatologji në Universitetin e Prishtinës. Krahas kësaj, ka ndjekur programe të shumta trajnimi ndërkombëtare në Evropë, duke përvetësuar praktikat dhe standardet bashkëkohore të industrisë së sigurimeve.
Rreth Sigma Vienna Insurance Group në Kosovë

Sigma Vienna Insurance Group në Kosovë është pjesë e Vienna Insurance Group (VIG), grupi lider i sigurimeve në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe operon në tregun e Kosovës që prej vitit 2001. Me fokus te klienti, inovacioni dhe standardet më të larta profesionale, kompania ofron një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh sigurimi për individë dhe biznese, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të sigurimeve në Kosovë.





