Gazeta prestigjioze italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një artikull të detajuar vrasjes së sipërmarrësit italian Edoardo Sarchi, i cili u vra të shtunën në fshatin Salari të Shqipërisë, ku prej vitesh jetonte dhe drejtonte një aktivitet biznesi. Sipas medias italiane, rasti mbetet i paqartë dhe i mbushur me mister, veçanërisht për shkak të varrimit të menjëhershëm dhe privat, pa kryer autopsi, gjë që ngre shumë pikëpyetje mbi dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes.

Tre persona shoqëronin Sarchin në mëngjesin fatal dhe kanë dhënë dëshmi të ndryshme. Njëri flet për një sulm nga një person i panjohur të armatosur, një tjetër për një konflikt mes Sarchit dhe një të njohuri i cili më pas e goditi, ndërsa një version tjetër thotë se bëhej fjalë për një aksident gjatë një shëtitjeje gjuetie. Megjithatë, sipas Corriere-s, nuk u gjetën gëzhoja dhe dyshohet se biznesmeni është goditur në kokë me shkop, e jo me armë zjarri.

Vendimi për të mos kryer autopsinë, por të organizohej menjëherë një ceremoni mortore, ka lënë hapësirë për dyshime mbi orientimin e hetimeve. Personi i shpallur në kërkim, një 48-vjeçar i apasionuar pas armëve dhe i lidhur me aktivitet të paligjshëm, akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe trafik droge.

Ndërkohë, tre personat që shoqëronin Sarchin nuk janë emra të panjohur. Sipas Corriere-s, ata i përkasin një familjeje të fuqishme shqiptare, me lidhje të hershme politike dhe dyshohet se kanë pasur përfshirje në periudha të errëta të historisë së vendit, nga koha e komunizmit e deri tek konfliktet e viteve ’90 dhe trafiku i drogës.

Artikulli e mbyll duke theksuar kontrastin mes një Shqipërie moderne që investon në turizëm dhe zhvillim, dhe një të kaluare të errët që ende rëndon mbi imazhin e saj, përmes ngjarjeve misterioze si vrasja e Sarchit.