Shpërndante drogë në lagjet e qytetit të Fierit, kapet me sasi të konsiderueshme lënde narkotike dhe prova materiale 31-vjeçari i dyshuar.

Policia vendore bëri sot me dije se gjatë aksionit të koduar “Casus”, identifikoi pas ndjekjes dhe prangosi të riun me inicialet J. Ç., banues në Roskovec.

Gjatë ndërhyrjes atij iu kapën në flagrancë edhe 3,6 kg hashash që do e shpërndante në doza, një peshore elektronike, shuma parash dhe dy celularë.

I riu besohet se është pjesë e një rrjeti të trafikut në vend dhe hetimet do thellohen më tej për bashkëpunëtorët, nga ana e Prokurorisë.

Njoftimi i Policisë së Fierit:

“Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Casus”. Siguronte lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe e ndante në doza, me qëllim shitjen, arrestohet 31-vjeçari. Sekuestrohen 3.6 kg Cannabis, peshore që shërbente për ndarjen e saj, një shumë parash e përfituar nga shitja e lëndës dhe 2 celularë.

Si rezultat i menaxhimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë policore, për një shtetas të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht në Roskovec, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Seksionit të Forcës Operacionale, finalizuan operacionin “Casus”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. Ç., 31 vjeç, banues në Roskovec. Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale:

-në total, 3.6 kg lëndë narkotike Cannabis (një pjesë, e ndarë në doza);

-1 peshore elektronike;

-një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndës narkotike;

-2 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”.