Egnatia nuk do të jetë skuadra e parë shqiptare që do të masë forcat me Shamrok Rovers në kupat e Europës. Më herët, këtë rrugë e ka përshkuar Teuta, e cila u përball me kampionët e Irlandës në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës në sezonin 2021/22. Në atë edicion, durrsakët nuk arritën t’i bënin ballë Shamrok Rovers.
Takimi i parë u mbyll me fitoren 1-0 të irlandezëve, ndërsa në ndeshjen e kthimit ata triumfuan edhe 2-0, duke vulosur kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Katër vite më vonë, është radha e Egnatias të provojë fatin ndaj të njëjtit kundërshtar. Kampionët e Shqipërisë do të synojnë jo vetëm të sigurojnë një rezultat pozitiv në Dublin, por edhe të thyejnë precedentin e vetëm mes Shamrok Rovers dhe një skuadre shqiptare, duke synuar kualifikimin për në fazën e radhës të Ligës së Europës.





