Edhe pse skenat e papritura, me gjak, vrasje e therje mund të duken të tmerrshme, filmat e frikshëm ofrojnë një mënyrë të pazakontë për të përballuar stresin dhe ankthin. Frika është një reagim natyror që na paralajmëron për rreziqe, por intriguese është se shumë njerëz tërhiqen drejt historive të frikshme.

Psikologët kanë identifikuar tre profile kryesore të shikuesve të filmave horror: të apasionuarit nga adrenalina, që ndihen “më gjallë” për shkak të tensionit, ata që gëzojnë triumfin mbi frikën dhe ata që përdorin këto filma për të matur guximin e tyre dhe për të përballuar ankthin e jetës reale. Këto modele janë të njëjta në kultura dhe mjedise të ndryshme, duke treguar se kureshtja është universale.

Historitë e frikshme aktivizojnë trurin për të simuluar situata të pasigurta, duke na ndihmuar të parashikojmë kërcënimet dhe të përgatitemi për situata të vështira. Shkencëtarët sugjerojnë se shikimi i të tillë filmave të frikshëm në një ambient të kontrolluar mund të ndihmojë në reduktimin e stresit dhe ankthit, njësoj si një lloj terapie psikologjike.

Studime të veçanta me fëmijë që luajnë lojën video MindLight, ku ata përballen me përbindësha në një shtëpi të frikshme, tregojnë se fëmijët mësojnë të menaxhojnë ankthin dhe tensionin me rezultate të ngjashme me terapinë kognitive-biheviorale.

Pra, filmat e frikshëm (horror) nuk janë vetëm argëtim. Ata mund të funksionojë si një “trajnim” i sigurt për trurin, duke ndihmuar njerëzit të përballojnë pasigurinë, të zhvillojnë rezistencën emocionale dhe të menaxhojnë ankthin në jetën e përditshme.

Kurse për ata që kanë frikë të afrohen me këtë zhanër, psikologët sugjerojnë të fillojnë me libra ose filma që i sfidojnë paksa, por që nuk tejkalojnë tolerancën personale. Kureshtja për të tmerrshmen mund të çojë në përvoja të papritura dhe në qetësinë që sjell për pjesën tjetër të jetës.