Pas një ecurie të mirë në startin e kampionatit, Teuta u ndal për herë të parë këtë sezon, duke pësuar humbjen e parë ndaj Egnatias në Rrogozhinë. Një ndeshje që la pak shije të hidhur në kampin durrsak, por që për mesfushorin Ergis Arifi është më shumë një mesim sesa një hap fals. Në prag të përballjes me Dinamon, lojtari i Teutës flet për gabimet e bëra, reagimin që pritet në ndeshjen e radhës dhe besimin se skuadra do të rikthehet menjëherë te rezultatet pozitive.

Ergis, Teuta pësoi humbjen e parë këtë sezon ndaj Egnatias. Si e përjetuat këtë ndeshje?

Ishte një ndeshje e vështirë, siç e prisnim. Egnatia është një skuadër solide dhe në formë të mirë. Megjithatë, mendoj se rezultati nuk pasqyron plotësisht lojën. Bëmë gabime që na kushtuan, sidomos në momente kyçe, dhe në këtë nivel nuk falen. Tani duhet të mësojmë nga kjo humbje dhe të ecim përpara.

Cilat mendon se ishin arsyet kryesore të humbjes?

Nuk ishte mungesë dëshire apo përkushtimi. Thjesht nuk ishim aq të qartë para portës dhe nuk shfrytëzuam rastet që patëm. Egnatia u tregua më cinike dhe më e saktë në momentet vendimtare. Duhet të rrisim përqendrimin dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime.

Si është gjendja e grupit pas kësaj ndeshjeje?

Normalisht, nuk është e këndshme të humbësh, por atmosfera është e mirë. Jemi një grup me karakter dhe e dimë që kampionati është i gjatë. Kemi besim te vetja dhe te stafi teknik. Kjo humbje mund të na shërbejë si mësim për t’u bërë më të fortë.

Tani ju pret një përballje e rëndësishme me Dinamon. Si e shikoni këtë ndeshje?

Dinamo është një skuadër me shumë cilësi dhe me lojtarë me eksperiencë. Do të jetë një sfidë e luftuar, por ne do të hyjmë për të marrë maksimumin. Luajmë në një fushë të mirë dhe duam t’i japim tifozëve tanë një fitore për t’u rikthyer menjëherë në rrugën e duhur.

Çfarë duhet të ndryshojë Teuta në lojën e saj për të fituar ndaj Dinamos?

Duhet të jemi më agresivë dhe më të saktë në pasimet e fundit. Gjithashtu, duhet të jemi më të fortë psikologjikisht. Ndeshjet vendosen nga detajet, dhe ne duhet të kontrollojmë ritmin dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi.