Tentoi të trafikonte 8 emigrantë nga vendet e Afrikës, që të kalonin ilegalisht kufirin me destinacion vendet e BE-së, duke i fshehur në kamion, procedohet penalisht 52-vjeçari në Kapshticë.
Policia e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, bëri me dije sot se i arrestuari është nga Mali i Zi dhe po përdorte mjetin e tij për të kryer aktivitetin kriminal.
Nën procedim edhe një person i dytë, që akuzohet se ka kaluar ilegalisht kufirin në Qafë Thanë.
Njoftimi i Policisë së Korçës:
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, gjatë kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, kanë goditur një rast të dhënies ndihmës për të kaluar kufirin, në mënyrë të paligjshme, në PPK Kapshticë.
Në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit në kamionin që drejtonte shtetasi Nj. J., u gjetën të fshehur në kamion, 8 emigrantë nga vendet e Afrikës, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin malazez Nj. J., 52 vjeç, banues në Malin e Zi, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjithashtu, shërbimet e DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin K. K., 36 vjeç, banues në Prrenjas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Maqedoninë e Veriut.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”.





